Articles

Spitali Amerikan në Tiranë

Në ditët e para të 2007 Balkan Alliance, sot Spitali Amerikan, hapi dyert me një premtim ambicioz dhe një përgjegjësi të madhe: t’u sillte pacientëve shqiptarë atë çka ata meritonin, atë çka shpesh kërkonin jashtë kufijve të Shqipërisë, atë që mjekësia shqiptare, me gjithë talentin e përkushtimin e mjekëve, në mungesë të kushteve dhe teknologjisë nuk ua kishte ofruar: diagnostikimin dhe trajtimin me standardet më të larta të mjekësisë moderne.

Hapat e para të këtij spitali drejt pacientëve shqiptarë filluan pikërisht nga zemra. 

Nën drejtimin e profesorëve me emër në katedrat e kardiokirurgjisë në Ankara, Stamboll e Huston, ekipi i përbërë fillimisht nga 72 punonjës filloi intensivisht punën me raste mjaft të komplikuara të patologjive kardiake.

Në nëntor 2007 spitali sfidoi një tjetër tabu të mjekësisë shqiptare duke realizuar për herë të parë në vend transplantin e parë të një organi: atë të veshkave.

Transplanti i veshkave, tashmë ndërhyrje rutine në këtë spital, bëri që t’i kushtohet një dedikim i veçantë pacientëve me insuficiencë renale për të cilët u ngrit qendra e parë private e dializës në vend me një kapacitet prej 16 shtretërish dhe që do u shërbejë rreth 160 pacientëve në muaj.

Në ambiente të reja ndërtuar me standarde bashkëkohore, me një staf të konsoliduar prej 150 vetash, në verën e 2008, spitali hodhi një hap tjetër shumë të rëndësishëm, bashkoi suksesin e padiskutueshëm të mjekësisë moderne me forcën e investimit amerikan nën emrin American Hospital.

Me një identitet të ri, me një investim akoma më të madh e serioz të aksionarëve të rinj BCM, si dhe me premtimin e një shërbimi me standardet perëndimore, Spitali Amerikan ka hapur tashmë dyert me gjithë shërbimet që një spital i standardeve perëndimore ofron.

Nga kardiologjia, në kirurgjinë estetike, nga gastroenterologjia në otorinolaringologji, nga ortopedia në onkologji, nga okulistika në radiologjinë e avancuar. Çdo patologji do të mund të kurohet tashmë në American Hospital.

Qendra e radiologjisë së avancuar, me aparaturat unike jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, do të lehtësojë diagnostikimin saktë dhe shpejtë atëherë kur metodat e tjera janë të pamjaftueshme. Skaneri me 64 detektorë ka filluar të sfidojë dukshëm metodat invazive të koronaroangiografisë dhe Rezonanca Magnetike 1.5 Tesla ofron metodat më të fundit në fushën e saj.

Qendra e okulistikës, një prej investimeve më serioze të Spitalit Amerikan, ka filluar tashmë t’iu shërbejë pacientëve të të gjithë rajonit në kirurgjinë refraktare me laser, probleme të kataraktit, glaukomës, retinës etj.

Mjekët kirurgë nga Amerika e Turqia, rishtazi bashkëngjitur stafit të American Hospital, do të plotësojnë kërkesat e pacientëve shqiptarë, jo vetëm për problemet funksionale, por edhe ato estetike, duke e bërë kirurgjinë plastike një nga armët e forta e prioritetet e këtij spitali.